U lind më 2 tetor 1983 në fshatin Kabash, komuna e Vitisë. Vije nga një familje arsimdashëse, është i biri i mësuesit Halit, njëri nga veteranët e arsimit në Anamoravë. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje në shkollën “Ndre Mjeda” në Kabash, ndërsa në vitin 2002 e mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin “Kuvendi i Lezhës”, drejtimi shkencat matematiko natyrore. Si gjimnazist, Urani ishte aktiv në Qendrën Rinore shkollore, ndërsa në vitin 2001 u zgjodh edhe kryetar i kësaj qendre. Në vitin 2002 studimet i filloi në Fakultetin Filologjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze. Përveç studimeve, gjatë këtyre viteve ishte aktiv edhe në organizimin e rubrikave në revista studentore për shkrime, kuriozitete dhe inovacione në letërsinë dhe gjuhën angleze. Në qershor të vitit 2006 diplomoi në Fakultetin Filologjik në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze me temën, “Learning styles and techniques in English Language Teaching - ELT” ku dhe mori titullin, Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze. Në shtator të vitit 2006 filloi punën në gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti, si profesor i gjuhës angleze ku dhe aktualisht punon. Nga viti 2007 ka themeluar dhe ka drejtuar edhe Qendrën Edukative “English Language Centre” në Viti, ku janë ofruar shumë shërbime për kuadrot e reja në përvetësimin, studimin e lehtësimin e të mësuarit e gjuhës angleze. Në nëntor të vitit 2012, Urani vazhdon studimet postdiplomike në Universitetin e Europës Juglindore (SEEU) në Maqedoni, në Departamentin e gjuhës angleze, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit. Gjatë viteve 2010 deri 2020 ka ndjekur seminare e trajnime të ndryshme të mësimdhënies e mëmimnxënies. Merret edhe me përkthime të materialeve të ndryshme zyrtare e shkencore nga gjuha angleze në atë shqipe dhe anasjelltas. Nga viti 2014 deri në vitin 2021 ka qenë kryetar i Shoqatës Sindikale të gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” ku shumë aktivitete kombëtare, kulturore e artistike janë organizuar gjate këtyre viteve. Është simpatizues i sportit, artit, muzikës e kinematografisë. Hobi ka futbollin e leximin. Është i martuar dhe ka tre fëmijë.