“Dita Ndërkombëtare Kundër Duhanit”

Në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti u mbajt një ligjëratë vetëdijësuese në kuadër të Komitetit Shkollor për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, me temën “Dita Ndërkombëtare Kundër Duhanit”.
Ligjërata ishte përgatitur me përkushtim nga nxënësit, nën udhëheqjen dhe përkujdesjen profesionale të profesoreshës Feride Latifi. Përmes prezantimeve dhe diskutimeve të zhvilluara, nxënësit trajtuan pasojat e dëmshme që sjell përdorimi i duhanit për shëndetin e individit dhe të shoqërisë, duke theksuar rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit të të rinjve për të zgjedhur një mënyrë jetese të shëndetshme.
Kjo ligjëratë pati një rëndësi të veçantë edukative, pasi kontribuoi në rritjen e vetëdijes së nxënësve për mbrojtjen e shëndetit, respektimin e të drejtës për një mjedis të pastër dhe promovimin e vlerave që ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme dhe më të përgjegjshme.
Në këtë aktivitet u përfshi edhe psikologu i shkollës, Nexhbedin Avdyli, i cili përcolli një mesazh të rëndësishëm për nxënësit lidhur me ndikimin negativ të duhanit në shëndetin fizik dhe psikologjik, duke i inkurajuar ata që të bëjnë zgjedhje të mençura dhe të ndërtojnë stile jetese të shëndetshme e të përgjegjshme.
Në përfundim të aktivitetit, drejtori i shkollës, Prof. Dr. Nexhmedin Bardhi, i falënderoi nxënësit, profesoreshën dhe psikologun e shkollës për angazhimin dhe cilësinë e ligjëratës, duke vlerësuar mesazhin e rëndësishëm që ajo përcolli. Ai theksoi se shkolla mbetet e përkushtuar në promovimin e një ambienti të shëndetshëm, të sigurt dhe pa duhan, ku nxënësit edukohen jo vetëm me dije, por edhe me vlera që i shërbejnë jetës dhe së ardhmes së tyre.
Në fjalën e tij, drejtori nënvizoi se kujdesi për shëndetin dhe krijimi i një kulture kundër duhanit janë përgjegjësi e përbashkët e shkollës, familjes dhe shoqërisë, ndërsa aktivitete të tilla shërbejnë si shembull i mirë i bashkëpunimit dhe edukimit për të mirën e brezave të rinj.

Nga: Kuvendi Lezhes
Kthehu tek publikimet