Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Ramadan Musliu”

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Ramadan Musliu” në Viti organizoi një takim të veçantë kulturor e letrar në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës”, me mysafir të ftuar poetin e mirënjohur Skender Sherifi.
Ky aktivitet letrar u mbajt më 29 maj 2026, me fillim nga ora 13:30, duke sjellë një atmosferë frymëzuese dhe mjaft domethënëse për nxënësit, profesorët dhe dashamirët e letërsisë.
Takimin, në cilësinë e nikoqirit, e hapi drejtori i shkollës, Prof. Dr. Nexhmedin Bardhi, i cili falënderoi Shoqatën e Shkrimtarëve dhe poetin për praninë e tyre, duke theksuar se shkolla ndihet e nderuar që mirëpret personalitete të tilla të botës letrare dhe kulturore. Ai vlerësoi rëndësinë që kanë takimet me krijues të njohur në formimin intelektual dhe artistik të të rinjve, duke potencuar se letërsia mbetet një ndër urat më të fuqishme të komunikimit shpirtëror dhe kulturor.
Ligjërata dhe dialogu i zhvilluar gjatë takimit ishin mjaft përmbajtësore dhe inspiruese. Nxënësit shfaqën interesim të jashtëzakonshëm, duke parashtruar pyetje të shumta rreth krijimtarisë letrare, përvojës jetësore dhe rrugës drejt arritjes së majave në botën e letërsisë dhe artit bashkëkohor. Kureshtja, kultura e komunikimit dhe niveli i përgatitjes së nxënësve i dhanë këtij takimi një dimension të veçantë akademik e kulturor.
Në përmbyllje të aktivitetit, drejtori Prof. Dr. Nexhmedin Bardhi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Krijuesve për organizimin, si dhe poetin Skender Sherifi për ligjëratën mbresëlënëse dhe atmosferën e ngrohtë e frymëzuese të krijuar në mesin e nxënësve. Njëherësh, ai vlerësoi lart konstruktivitetin, kulturën dhe përgatitjen e treguar nga nxënësit gjatë gjithë bashkëbisedimit, duke e cilësuar këtë takim si një ngjarje me vlera të veçanta edukative, kulturore dhe kombëtare.
Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe Plus Televizionit për përcjelljen profesionale dhe pasqyrimin vizual të këtij aktiviteti kulturor e letrar, duke kontribuar në promovimin e vlerave arsimore, artistike dhe kulturore tek publiku i gjerë.
https://youtu.be/s634BVfJNPw?si=GdDpX4_FflMS1nkv

Nga: Kuvendi Lezhes
Kthehu tek publikimet