Dje, më 28 maj 2026, në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti, u organizua ceremonia solemne e diplomimit të maturantëve, një ngjarje e veçantë e realizuar me përkushtim dhe organizim të shkëlqyer nga stafi i shkollës.
Një falënderim i veçantë u takon kujdestarëve të klasave të XII-ta, të cilët me angazhimin, përkushtimin dhe punën e tyre të palodhshme bënë që kjo ceremoni të marrë përmasa madhështore dhe të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve.
Ceremoninë e hapi drejtori i shkollës, Prof. Dr. Nexhmedin Bardhi, i cili në fjalën e tij vlerësoi rrugëtimin e maturantëve ndër vite, sfidat, përkushtimin dhe sukseset e tyre, duke theksuar se kjo gjeneratë po largohet nga bankat shkollore me dije, përvojë dhe ëndrra të mëdha për të ardhmen. Ai potencoi se shkolla do të mbetet gjithmonë shtëpia e tyre e dijes, edukimit dhe kujtimeve më të bukura rinore. Po ashtu, drejtori shprehu mirënjohje dhe vlerësim të lartë për profesorët, të cilët me profesionalizëm, përkushtim dhe sakrificë kanë ndikuar në formimin akademik dhe njerëzor të maturantëve, duke qenë udhërrëfyes të tyre në rrugën e dijes.
Me një fjalë përshëndetëse ceremoninë e nderoi edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili përgëzoi maturantët për suksesin e arritur dhe shprehu besimin se ata do të jenë bartës të zhvillimit, dijes dhe vlerave të shoqërisë sonë. Ai vlerësoi gjithashtu punën e mësimdhënësve dhe mbështetjen e prindërve në formimin e brezave të rinj.
Në fund të ceremonisë u bë shpërndarja e diplomave për maturantët, nën përcjelljen dhe emocionet e mësimdhënësve të tyre, të cilët ndër vite dhanë më të mirën në edukimin dhe arsimimin e kësaj gjenerate. Me emocione të veçanta, krenari dhe lot gëzimi, prindërit dhe familjarët e pranishëm pritën momentin e diplomimit të bijve dhe bijave të tyre, ndërsa ceremonia u nderua edhe nga shumë mysafirë e pjesëmarrës të tjerë.
Urime diplomimi të gjithë maturantëve! Ju priftë e mbara në rrugëtimin tuaj drejt dijes, suksesit dhe jetës.