Sot, më 23 maj 2026, realizuam një ekskursion njëditor me nxënësit e Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti. Marshuta ishte përgatitur paraprakisht dhe u finalizua me sukses, duke u bazuar në rëndësinë dhe arsyeshmërinë e vizitave tona edukative e historike.
Rrugëtimin e filluam në Ulpianë, një nga qendrat më të rëndësishme të qytetërimit antik në trojet tona, ku nxënësit patën rastin të shohin nga afër gjurmët e historisë dhe të njihen me vlerat arkeologjike e kulturore të këtij lokaliteti të lashtë. Një ligjëratë të shkurtër dhe shumë domethënëse lidhur me rëndësinë e Ulpianës e mbajti profesori i merituar i historisë, prof. Besim Haliti.
Më pas vazhduam drejt Kompleksit Memorial në Prekaz, vendit të krenarisë, sakrificës dhe qëndresës sonë kombëtare. Edhe pse moti ishte i ngrysur sot, pikërisht nga ai vend lindi drita e shpresës, madhështisë dhe lirisë sonë. Prekazi mbetet simbol i përjetshëm i flijimit për atdhe dhe frymëzim brezash për dashurinë ndaj lirisë e kombit.
Rrugëtimin tonë e përmbyllëm në Prizren, qytetin e historisë, kulturës dhe traditës shqiptare, ku ndërthuren bukur vlerat kombëtare, trashëgimia dhe mikpritja e njohur shqiptare.
Një falënderim i veçantë për sjelljen dinjitoze të nxënësve tanë dhe përkushtimin e mësimdhënësve, të cilët gjatë gjithë ekskursionit manifestuan përgjegjësi, kulturë dhe profesionalizëm të admirueshëm.