Mbrëmja e Maturës

Mbrëmë, maturantët e Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti, mbajtën Mbrëmjen e Maturës, duke përmbyllur me dinjitet një rrugëtim të gjatë e të suksesshëm trevjeçar në tempullin e dijes. Ishte një natë emocionesh, krenarie dhe reflektimi për një gjeneratë që, me përkushtim dhe seriozitet, finalizoi një etapë shumë të rëndësishme të jetës së saj akademike.
Para tyre tashmë hapen horizonte të reja dhe obligime të mëdha në rrugëtimin e së ardhmes, sepse pikërisht këta të rinj, me dijen, kulturën dhe formimin e fituar, nesër do të jenë bartës të proceseve zhvillimore në institucionet shtetërore, arsimore, shkencore e shoqërore të vendit tonë.
Mbrëmja kaloi në një atmosferë të jashtëzakonshme, me kulturë e dinjitet, ashtu siç i ka hije gjimnazistëve të Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës”, institucion ky që ndër vite ka ndërtuar traditë suksesi dhe vlerash akademike.
Në fjalën hapëse të mbrëmjes, drejtori i shkollës, Prof. Dr. Nexhmedin Bardhi, falënderoi maturantët për përkushtimin, seriozitetin dhe angazhimin e treguar gjatë këtij rrugëtimi të dijes dhe formësimit akademik. Ai theksoi se suksesi i nxënësve është edhe meritë e mësimdhënësve të përgatitur e të përkushtuar të Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës”, të cilët me profesionalizëm dhe vizion kanë ndihmuar në ndërtimin e gjeneratave të reja.
Në mesazhin e tij, drejtori Bardhi potencoi se vizioni për të ardhmen duhet të mbetet udhërrëfyes i çdo të riu, duke i nxitur maturantët që me dije, integritet dhe përgjegjësi të ecin drejt sfidave të reja, gjithmonë krenarë për shkollën dhe vendin e tyre. Ai uroi në mënyrë të veçantë maturantët që kjo natë të mbetet një kujtim i paharruar në jetën e tyre dhe që suksesi t’i përcjellë në çdo hap të së ardhmes.
Gjatë mbrëmjes, maturantët patën kënaqësinë të mirëpresin edhe drejtoreshën e DKA-së, znj. Arta Ajeti, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, të cilët përgëzuan nxënësit dhe mësimdhënësit për rrugëtimin e suksesshëm dhe nivelin e lartë të organizimit. Në fund, ata u uruan maturantëve shëndet, suksese dhe realizim të ëndrrave në rrugën e tyre të ardhshme akademike dhe profesionale.
Urime gjeneratës së maturantëve 2026! Rruga juaj qoftë e ndriçuar nga dija, suksesi dhe vlerat njerëzore!

Nga: Kuvendi Lezhes
Kthehu tek publikimet