Sot, më 15 Maj në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, në gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” u realizua një prezentim dinjitoz dhe mjaft domethënës nga nxënësit e klasës së XI-të nën monitorimin dhe përkushtimin e profesoreshës Feride Latifi.
Përmes mesazheve të zgjedhura, interpretimeve dhe reflektimeve të tyre, nxënësit sollën para të pranishmëve rëndësinë e familjes si themel i shoqërisë, vatër e edukimit, dashurisë, sakrificës dhe mbështetjes së pakushtëzuar. Aktiviteti u karakterizua nga serioziteti, kultura e prezantimit dhe niveli i lartë i përgatitjes së nxënësve.
Në fund të aktivitetit, drejtori i shkollës Prof. Dr. Nexhmedin Bardhi falënderoi nxënësit dhe profesoreshën Feride Latifi për përkushtimin dhe angazhimin e treguar në realizimin e këtij organizimi kaq kuptimplotë. Ai potencoi se familja mbetet shtylla më e rëndësishme e jetës njerëzore, vendi ku formohen vlerat morale, edukata, respekti dhe dashuria për njëri-tjetrin. Po ashtu theksoi se një shoqëri e shëndoshë ndërtohet mbi familje të shëndosha, me komunikim, mirëkuptim dhe përgjegjësi të ndërsjellë.
Ky aktivitet edhe njëherë dëshmoi rolin e shkollës në kultivimin e vlerave njerëzore dhe familjare tek të rinjtë tanë.