Dita e Shkollës në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti
Sot në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti u shënua një ditë e veçantë, e mbushur me krenari kombëtare dhe emocione të forta.
Kuvendi i Lezhës paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Luftërat e zhvilluara kundër Perandorisë Osmane, e cila rëndonte mbi trojet tona arbërore, ishin pjesë e një sakrifice të madhe kombëtare për liri.
Për 25 vite me radhë, në 25 beteja të zhvilluara kundër ushtrisë osmane, trupat e ushtrisë shqiptare, të udhëhequra nga trimi dhe strategu i madh Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, dolën fitimtare në secilën prej tyre.
Në atë kuvend u themelua Besëlidhja Shqiptare, me përfaqësues nga të gjitha principatat shqiptare, nën udhëheqjen e Skënderbeut, duke shënuar një moment historik të bashkimit dhe unitetit kombëtar.
Pikërisht në këtë ditë shkollën tonë sot e karakterizuan dy ngjarje me rëndësi të veçantë:
• U përurua shkolla pas renovimit të tërsishëmë nga Zyra Ndërlidhëse e Bashkimit Evropian dhe Komuna e Viti-së.
• Ngjarja tjetër me vlerë të veçantë historike ishte zbulimi i pllakës memoriale të ish-drejtorit të parë të kësaj shkolle prof. Selim Musliu, i cili së bashku me shumë bashkëmësimdhënës, bashkëveprimtarë dhe akterë vendimmarrës shqiptarë, bëri të pamundurën për pavarësimin e këtij institucioni me rëndësi për komunën e Viti-së. Deri atëherë, kjo shkollë funksiononte si paralele e ndarë e Gjimnazit "Zenel Hajdini" në Gjilan.
Drejtori z. Mujë Tafa së bashku me kryetarin e komunës z. Sokol Halitin dhe drejtoreshën e Arsimit znj. Arta Ajeti, falënderuan për prezencën e tyre drejtorin e përgjithshëm të Zyrës Ndërlidhëse të BE-së, z. Hubert Perr, si dhe koordinatoren e kësaj zyre, znj. Besime Kajtazi.
Kjo ngjarje përkoi me një varg aktivitetesh kulturore dhe artistike.
U ndanë mirënjohje dhe lëvdata për nxënësit dhe mësimdhënësit, ku u veçuan nxënësit me sukses shembullorë, nxënësit me të arritura në fushën e sportit, artit dhe teknologjisë.
Programi festiv u pasurua me paraqitje të ndryshme nga nxënësit, duke reflektuar talentin, kreativitetin dhe përkushtimin e tyre në fusha të ndryshme të artit, kulturës dhe teknologjisë.
Në ekspozitën artistike u paraqitën vlera të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, duke zgjuar interes dhe admirimin e vizitorëve, si dhe duke dëshmuar rolin e shkollës në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar. Spikati në ekspozitë nxënësja e talentuar Erodita Bislimi e cila ka fituar çmime e mirënjohje gjithandej në Kosovë dhe në Evropë me pikturat e saj.
Prezenca e shumë përfaqësuesve të institucioneve, OJQ-ve, ish mësimdhënësve, prindërve dhe miqve na ka nderuar dhe na ka dhënë forcë për të vazhduar misionin tonë arsimor me përkushtim edhe më të madh.