Sot, më datë 13.02.2026, nën organizimin dhe përkujdesjen e veçantë të prof. Nexhmedin Bardhi, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës në Viti, u zhvillua ora letrare e organizuar në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të shtetësisë së Republikës së Kosovës. Ky aktivitet kulturor, i inicuar dhe i realizuar nga SHSHK “Ramadan Musliu” në Viti, mbarti titullin domethënës “Kosovë, ma gëzofsh Pavarësinë”, duke u shndërruar në një tribunë të mirëfilltë të artikulimit estetik, të reflektimit historik dhe të afirmimit të ndërgjegjes kombëtare.
Manifestimi u karakterizua nga një frymë solemne dhe një përkushtim i lartë artistik, ku fjala poetike u ngrit në nivelin e një akti simbolik nderimi ndaj sakrificës historike dhe idealit të lirisë. Përmes vargut të recituar me ndjeshmëri dhe interpretimit të ngarkuar me emocion, pjesëmarrësit rikthyen në kujtesën kolektive udhëtimin e gjatë drejt pavarësisë, duke e përjetësuar atë në dimensionin e artit letrar.
Në këtë organizim morën pjesë edhe nxënësit e Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës”, të cilët me paraqitjet e tyre dinjitoze dëshmuan nivel të lartë përgatitjeje artistike dhe kulturë të theksuar interpretimi. Për kontributin e dhënë dhe për poezitë e recituara me përkushtim e finesë estetike, ata u nderuan me mirënjohje. Nxënësit pjesëmarrës ishin: Melisa Limani, Verona Limani, Elton Ibrahimi, Lorisa Shabani dhe Soreja Qamili, të përgatitur me profesionalizëm nga prof. Fikrete Arifi dhe Shqipe Ramadani, të cilat me punën e tyre pedagogjike kanë kultivuar te të rinjtë dashurinë për letërsinë dhe ndjeshmërinë ndaj vlerave kombëtare.
Veçantinë e këtij organizimi e shtoi edhe pjesëmarrja e nxënësve nga shkolla e mesme e Tetovës, çka i dha aktivitetit një dimension mbarëkombëtar dhe ndërshkollor, duke e shndërruar atë në një hapësirë bashkëveprimi kulturor dhe afirmimi të identitetit të përbashkët shpirtëror. Kjo prani dëshmoi se fjala artistike mbetet një urë lidhëse ndërmjet trevave shqiptare dhe një instrument i fuqishëm i ruajtjes së kujtesës historike.
Në tërësi, ora letrare “Kosovë, ma gëzofsh Pavarësinë” u shqua si një manifestim me peshë të veçantë kulturore e edukative, duke përforcuar rolin e institucioneve arsimore dhe kulturore në kultivimin e vlerave atdhetare, në emancipimin estetik të brezit të ri dhe në përjetësimin e idealeve mbi të cilat u ngrit shtetësia e Republikës së Kosovës.